Integrimi / 30 vjet nga eksodi i madh shqiptar në Itali

Ndër veprimtaritë e ndryshme në 30-vjetor të mbërritjeve të para masive të shqiptarëve në Itali spikat edhe ekspozita “IntegrAzione… 30 anni dal grande esodo”, që përmbledh pamje që dokumentojnë fenomenin e emigracionit shqiptar kryesisht drejt bregdetit të Puglias, të fiksuara nga fotoreporteri e gazetari barez Vittorio Arcieri.

Ekspozita do të përurohet të shtunën më 26 qershor në ora 19:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 20 korrik në Bibliotekën Bernardini të Konviktit Palmieri të qytetit të Lecces, me pjesëmarrjen e Presidentit të Këshillit Rajonal Loredana Capone, të Konsullit Shqiptar Gentiana Mburimi, të prof. Rosita D’Amora të Universitetit të Salentos dhe të Presidentit të Polit BiblioMuseal Luigi De Luca.

Ekspozita fotografike do të hapet më pas në Bari (20 korrik – 10 gusht), Tiranë (3-15 shtator) dhe Vlorë  (16-30 shtator) dhe në disa qytete italiane përfshirë Romën (25-30 tetor) dhe Milanon (20-30 nëntor).

Me këtë ekspozitë fotografike, shoqata organizatore “Integra Onlus” , e angazhuar prej vitesh në promovimin e dialogut ndërkulturor dhe projekte të pritjes dhe integrimit të real në favor të migrantëve, i kthehet celebrimit të përvjetorit të zbarkimeve epike të shqiptarëve në brigjet e Puglias, duke kujtuar 1991-shin, me dhimbjen dhe shpresën e një populli të shtypur nga regjimi që shikonte tek Italia tokën e premtuar, si dhe bujarinë e jashtëzakonshme të puljezëve që hapën dyert e shtëpive dhe të zemrës për motrat e vëllezërit e përtejdetit.

Ekspozita është mundësuar me mbështetjen e Ministrisë italiane të Kulturës, të Krahinës së Puglias, polit Biblio-Museale di Lecces, Qytetit Metropolitan e të  Bashkisë së Barit, Universitetit të Salentos, Lidhjes Italiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të Ambasadës së Shqipërisë në Roma, të Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Bari, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Lëvizja e Punëtorëve të Krishterë, shoqatës Integra Solidale Odv dhe të partnerëve shqiptarë: Fondacioni Bridge for Future, Klik Ekspo Group dhe Shtëpia Botuese “Dritëro” me të cilën u realizua edhe katalogu dygjuhësh i ekspozitës.

Ekspozita synon të tërheqë vëmendjen për eksodin epokal të shqiptarëve në Itali, që ka shënuar historinë e dy vendeve dhe ka përcaktuar historinë e politikave të migrimit në Itali, për të nxitur më pas një studim të thellë të çështjeve të lidhura me fenomenet e sotme migratore dhe për të kërkuar një reflektim mbi nevojën zhvillimin e strategjive të reja italiane e evropiane për një integrim efektiv të migrantëve dhe për të shmangur tragjeditë e mëdha që vazhdojnë të ndodhin në detet tona.

“Integra ONLUS” risjell sërish ekspozitën “Integrimi” (të çelur fillimisht në mars 2011 pranë Ambasadës së Shqipërisë në Romë) sepse duam të mbajmë ndezur debatin se kush ishim ne 30 vjet më parë e kush jemi sot, kush ishin italianët e si kanë ndryshuar politikat migratore në Itali. – thotë Klodiana Çuka, presidente e shoqatës Integra Onlus për gazetën Diaspora Shqiptare.

“Kurrë nuk do ta kishim imagjinuar, për shembull, të përjetonim degradimin e politikave të migrimit dhe integrimit siç ka ndodhur në vitet e fundit me dekretet e sigurisë, ndaj për ne është e rëndësishme të mbajmë gjallë debatin mbi këto tema, të flasim për histori suksesi, për lajme pozitive, për shembuj integrimi. Sepse ne shqiptarët sot, pas 30 vjetëve nga eksodi i madh duhet të ndihemi krenarë për si ia kemi dalë mbanë, për sa kemi ndërtuar në Itali. E mund të jemi një shembull i mirë për të gjitha diasporat e vendeve të tjera në Itali e në mbarë Evropën”,-thekson Çuka.

Fonte: Diaspora Shqiptare