Përurohet në Itali vepra e artit kushtuar tragjedisë së Otrantos

Përurohet në Itali vepra e artit kushtuar tragjedisë së Otrantos

U zbulua dje monumenti mbi anijen “Kateri i Radës”

Autor është skulptori grek Costas Varotsos. Në Shqipëri vijnë busulla dhe feneri i anijes

 

 

Një vepër që nuk u përket vetëm shqiptarëve, por gjithë atyre që humbën thellësive të Otrantos, që nuk mundën ta kalonin dot kurrë atë kanal fatkeq, drejt ëndrrës.. Një vepër që i takon gjithë Europës, në kujtim të një tragjedie dhe në kërkim të shpresës. Dje në mesditë, në Portin e Otrantos u vendos një vepër arti jo e zakontë. Bëhet fjalë për një monument-homazh, ngritur mbi një relikt anijeje, fundosur në 28 mars të vitit 1997 në Kanalin e Otrantos. Bëhet fjalë për “Katerin e Radës”, anijes që u fundos në Otranto, pas një përplasjeje me anijen patrulluese italiane “Sibila” e ku humbën jetën 81 shqiptarë. Një nga tragjeditë më të rënda në historinë e emigracionit shqiptar, e cila është përjetësuar në një vepër arti të ngritur nga artisti grek, Costas Varotsos, nën titullin “Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues”. Pjesa e sipërme e reliktit të ndryshkur të anijes është vendosur mbi një bazament betoni dhe mbuluar me fletë qelqi. I njohur si një realizues i veprave të mëdha monumentale në hapësira urbane, në bazë të të cilave është qelqi, Varotsos është ndihmuar në këtë iniciativë jo vetëm nga komuniteti i Otrantos, por edhe nga një grup artistësh të rinj, që vinin nga i gjithë rajoni i Mesdheut e, mes tyre, patjetër edhe shqiptarë. Ata janë Arta Ngucaj e Arben Beqiraj. Një muaj më parë, këta artistë realizuan një instalacion dhe ekspozuan fotografitë e viktimave të tragjedisë së Otrantos, nën titullin “Infin che ‘l mar fu sovra noi richiuso” (Derisa deti përmbi ne u mbyll), një varg i shkëputur nga “Ferri” i Dantes. Këta artistë po përpiqen të mbajnë gjallë kujtimin e kësaj tragjedie, duke përdorur gjuhën artistike. Por një tjetër shqiptare që ka një rol kyç në këtë projekt, është Klodiana Çuka, presidente e “Integra Onlus”. Sipas saj, “Kateri i Radës” ishte destinuar për t’u kthyer në skrap, e ndoshta bashkë me shkatërrimin e saj do të binte harresa dhe mbi ngjarjen tragjike. Iu desh të ndërhynte e të merrte përsipër fatin e këtij relikti. Iu desh të dërgonte një letër pranë Gjykatës dhe një tjetër pranë bashkiakut të Otrantos, tek i cili gjeti ndjeshmërinë dhe gatishmërinë për të “mirëpritur” anijen dhe moslejimin e shkatërrimit përfundimtar të saj. “Që prej atij momenti, ishin të shumtë ata që u aktivizuan për të kthyer atë anije-varr të shumë qytetarëve shqiptarë, në një simbol të humanizmit dhe solidaritetit”, thotë Çuka. Familjarët e të mbyturve dhe të humburve në ujërat e Otrantos gjithmonë kanë shprehur dëshirën që ky relikt të kthehej në Shqipëri, si një memorial për kujtimin e të afërmve që nuk janë më. Por një kërkesë e tillë gjithnjë ka rënë në vesh të shurdhët. Madje, nuk kanë munguar edhe notat e protestës. Sipas tyre, memoriali duhej ngritur në Shqipëri dhe jo në vendin që shkaktoi tragjedinë. Megjithatë, “Kateri i Radës” tashmë është kthyer në një vepër të mirëfilltë arti, në brigjet e Otrantos. Por edhe në Shqipëri do të vijë diçka. Artistët vlonjatë Arta Ngucaj e Arben Beqiraj do të çojnë në Vlorë kabinën me radio transmetuesin që në gjuhën e marinës quhet feneri i anijes, si dhe busullën e saj. Këto dy objekte do të kthehen në një vepër të mirëfilltë arti në sheshin e portit të Vlorës.

 

SKULPTORI GREK TREGON MBI VEPRËN E ARTIT NDËRTUAR ME ANIJEN “KATERI I RADËS”

COSTAS VAROTSOS: MONUMENT DEDIKUAR SHPRESËS

NDONËSE AI RELIKT I NDRYSHKUR MBARTTE ME VETE NJË HISTORI TRAGJIKE, AI U MUNDUA TË SHIHTE THELLË SAJ, PËR TË MOS E KTHYER NË NJË OBJEKT-VARR, POR NË NJË SIMBOL SHPRESE. I NJOHUR PËR NJË SËRË VEPRASH TË PËRMASAVE TË MËDHA, ARTISTI GREK COSTAS VAROTSOS KTHEU RELIKTIN E ANIJES SË MBYTUR “KATERI I RADËS” NË NJË VEPËR ARTI, E CILA U PËRURUA DJE NË PORTIN E OTRANTOS. VAROTSOS TREGON PËR MEDIAT ITALIANE KONCEPTIN E TIJ ARTISTIK MBI KËTË OBJEKT TË NJË HISTORIE TË HIDHUR.
“PROPOZIMI PËR TË TRANSFORMUAR ‘KATERIN E RADËS’ NË NJË VEPËR ARTI MË ERDHI NË NJË MOMENT KUR VENDI IM, GREQIA, GJENDET NË NJË STUHI. PËR MUA, KY ËSHTË NJË MOMENT REFLEKTIMI MBI DOMETHËNIEN E VETË EUROPËS, KULTURËS DHE MESDHEUT.
MUNDËSINË PËR TË TRANSFORMUAR TRAGJEDINË NË NJË VEPËR ARTI, E PASHË SI NJË MUNDËSI TË MADHE. KA NJË SHPREHJE SHUMË TË PËRHAPUR NË VENDIN TIM, QË VJEN QË NGA ANTIKITETI: “NUK MUND TË EKZISTOJË E MIRA, NËSE NUK ËSHTË EDHE E KEQJA. NGA E KEQJA VJEN E MIRA”.
STUHIA QË PO SHPËRTHEN NË GJITHË EUROPËN DHE PO VË NË KRIZË TË GJITHA VLERAT KOMUNITARE, DUKE PËSUAR, SI NË RASTIN E “KATERIT  TË RADËS”, PASOJAT E TRAGJEDISË, NA TREGOJNË SE CILËT JEMI, CILI  ËSHTË POPULLI GREK, CILI ËSHTË POPULLI ITALIAN, CILËT JANË NJERËZIT DHE CILAT JANË VLERAT E VËRTETA.
E PRANOVA KËTË DETYRË, SEPSE KJO VEPËR LIDHET ME BAZËN E PUNËS SIME. ZAKONISHT UNË BËJ VEPRA TË MËDHA NËPËR QYTETE. KAM ZGJEDHUR TË PUNOJ NËPËR QYTETE, SEPSE KJO MË LEJON TË PUNOJ NË SHTRESAT HISTORIKE DHE SOCIALE. ARTISTI ËSHTË MJETI SHPREHËS I NJË KOMUNITETI. AJO ÇKA NDJEVA DUKE ARDHUR KËTU, ISHTE NEVOJA E NJË SHENJE POZITIVE PAS TRAGJEDISË, NEVOJA PËR TË PARË PËRPARA, NEVOJA PËR VLERA TË REJA.
QËLLIMI IM NUK ËSHTË TË LIDH ME OTRANTON NJË PUNË TIMEN, POR TË TRANSFORMOJ NDJESITË NEGATIVE NË ENERGJI POZITIVE, NË ENERGJI JETËSORE. KJO VEPËR DUHET TË BASHKOJË DHE TË KUJTOJË VLERAT MBI TË CILAT NGRIHET EUROPA, SIDOMOS NË KËTË MOMENT TË VËSHTIRË. MADJE, PIKËRISHT NË KËTË MOMENT VËSHTIRËSISH ËSHTË E DOMOSDOSHME TË SHOHËSH DREJT TË ARDHMES ME POZITIVIZËM.
KANË QENË TË SHUMTA VËSHTIRËSITË QË KANË DALË KUNDËR KËSAJ VEPRE: TEKNIKE, ADMINISTRATIVE, METEOROLOGJIKE. MADJE, DUKET SIKUR VËSHTIRËSITË KANË QENË TË PANDASHME NGA KJO VEPËR. POR KJO NDËRMARRJE ISHTE KAQ E MADHE DHE PLOT ME DOMETHËNIE, AVENTURË E AGONI, SAQË ASNJËHERË NUK MË PREKU IDEJA QË TA LIJA.
ANIJA ISHTE NISUR DHE ME ÇDO KUSHT DUHET TË MBËRRINTE NË DESTINACION, PAVARËSISHT KOHËS SË KEQE, ERËS DHE TË FTOHTIT QË UA BËRI PUNËN TË VËSHTIRË TË GJITHË ATYRE QË PUNUAN NË PORTIN E OTRANTOS NË DHJETOR E JANAR. E BUKURA E GJITHË KËSAJ ISHTE TË ZBULOJE SE UDHËTIMI ISHTE GJITHASHTU I RËNDËSISHËM, NDOSHTA MË SHUMË SE VETË DESTINACIONI. TASHMË QË SHOHIM VEPRËN E MBARUAR, MENDOJMË PËR TË GJITHË MJESHTËRIT (ZDRUKTHËTARË, BOJAXHINJ, XHAMPUNUES..) QË I DHANË JETË KANTIERIT TË ARTIT TË NGRITUR NË PORTIN E OTRANTOS, DUKE TRANSFORMUAR SKEPTICIZMIN FILLESTAR NË KURIOZITET E MË PAS NË ENTUZIAZËM. KJO ËSHTË NJË VEPËR KOLEKTIVE, NË REALIZIMIN E SË CILËS KANË PUNUAR NJË GRUP ARTISTËSH TË RINJ QË VININ NGA EGJIPTI, SIRIA, QIPRO, SHQIPËRIA, MALI I ZI, FRANCA. ARTISTË QË NGA RAPORTI I TYRE ME VEPRËN QË PO LINDTE DHE KOMUNITETIN E OTRANTOS KANË DHËNË E KANË MARRË. DUKE PËRDORUR ARTIN PËR TË KUPTUAR E PËR TË BËRË TË TJERËT TË KUPTOJNË NJË MONUMENT, FRYTIN E NJË TRAGJEDIE, DEDIKUAR SHPRESËS. FRIKA IME ISHTE “KONKURRENCA” ME TRAGJEDINË DHE HISTORINË QË MBARTTE “KATERI I RADËS”. DËSHIROJA TË NDËRHYJA JO VETËM NË MËNYRË KONCEPTUALE, POR EDHE FORMALISHT. REZULTATI MË KËNAQ. KAM NDJESINË SE ËSHTË ARRITUR EKUILIBRI MES FORCËS SË OBJEKTIT DHE NDËRHYRJES ARTISTIKE. KAM PËRSHTYPJEN SE ANIJA MË KA “PRANUAR”. NUK KA PASUR PËRPLASJE MES OBJEKTIT DHE NDËRHYRJES ARTISTIKE, POR MË SË SHUMTI NJË NDËRVEPRIM, NJË SHKRIRJE, NJË PËRQAFIM. DHE SË FUNDI HAPËSIRA U KTHYE NË FJALË”.

 

Fonte: panorama.com.al