Klodiana Çuka zgjidhet në Kryesinë Kombëtare të AICCRE

Gjatë takimit të Këshillit të parë kombëtar të Aiccre, që u zhvillua më 11 prill në Romë, për herë të parë në Këshill dhe në Kryesi bën pjesë një e huaj. Shqiptarja Klodiana Çuka, kryetare e shoqatës Integra Onlus dhe një ndër përfaqësueset e Popullit të Lirisë, u zgjodh në kryesinë e këtij enti.

Aiccre është seksioni italian i Këshillit të Komunave dhe të Rajoneve të Europës. Kjo lëvizje politike e kulturore ushtron një presion demokratik mbi institucionet europiane edhe nëpërmjet Kongresit të Pushteteve Lokale dhe Rajonale të Europës (CPLRE) në gjirin e Këshillit Europian. Nga viti 1986 CCRE ka ngritur një zyrë përfaqësimi pranë Komisionit Europian në Bruksel për të patur një kontakt të vazhdueshëm dhe efikas me institucionet europiane.

Zgjedhja e Klodiana Çukës në kryesi u mbështet dhe nga delegatë të grupimit të kundërt politik, gjë që dëshmon vlerësimin e punës së saj. Prej kohësh ajo është angazhuar edhe më një sërë programesh në ndihmë të popullatës shqiptare. Përveç ndihmës konkrete, me mbledhje lodrash, veshjesh e mallrash të nevojës së parë për fëmijët shqiptarë, shoqata Integra Onlus që ajo kryeson punon dhe për përhapjen në Itali të një imazhi korrekt e pozitiv të Shqipërisë. Në ditët e para të prillit u prezantua në Romë  në Sallën e Bibliotekës së CNEL në Romë, Integra Onlus dhe Rotary Club Roma Sud Ovest, prezantuan projektin “Bimbi in volo per un sorriso”. Është fjala për një projekt në ndihmë të fëmijëve dhe të të moshuarve në zonat e thella të veriut të Shqipërisë, kryesisht për ata të prekur nga gjakmarrja. Nga viti 2006 është ndjekur në mënyrë të veçantë nga Mons. Angelo Massafra Aqipeshkv i Shkodrës, i cili prej shumë kohësh është aktivizuar në ndihmë të shtresave më në nevojë në Shqipëri. Veprime reale, si mbledhja e ndihmave dhe dërgimi i tyre në Shqipëri apo grumbullimi e dorëzimi i ilaçeve në spitalin e Gjirokastrës në vitin 2008.

Projekti “Bimbi in volo per un sorriso”, ka bashkuar shoqatën Integra Onlus dhe Rotary Club Roma Sud Ovest R.I. Distretto 2080 Italia, organizma që do të kenë mundësi të mbështesin realisht ata që kanë më shumë nevojë. Rotary Club Roma Sud Ovest R.I. Distretto 2080 Italia, ka realizuar disa veprimtari ndihme kryesisht në veri të Shqipërisë, me një kujdes të veçantë tek fëmijët dhe të moshuarit, unazat më të dobëta të shoqërisë.

 

Fonte: shqiptariiitalise.com